Komuna e Strugës ka bërë të qartë qëndrimin e saj lidhur me projektin strategjik të Korridorit VIII, duke theksuar se traseja duhet të përfshijë territorin e saj. Pas takimit publik konsultativ për segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë, të organizuar me kërkesë të kompanisë Bechtel & Enka, autoritetet komunale vlerësojnë se procesi është zhvilluar me mangësi të theksuara, duke mos ofruar informim të plotë dhe hapësirë të mjaftueshme për debat publik. Qëndrimi institucional mbetet i prerë: traseja e Korridorit VIII duhet të kalojë përmes Strugës dhe nuk duhet të anashkalojë qytetin. Nga Komuna shprehin gatishmëri për angazhim të plotë në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe ekspertët, për të gjetur një zgjidhje që harmonizon zhvillimin ekonomik me standardet e UNESCO. Gjatë debatit janë ngritur edhe çështje për kontratën dhe afatet e realizimit, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve kanë konfirmuar se ekziston një kontratë e vlefshme me afate të përcaktuara. Komuna e Strugës pret që në një afat të shkurtër, në bashkëpunim me institucionet relevante dhe në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s, të përcaktohet një trase e qartë, e cila më pas do t’i nënshtrohet analizës profesionale dhe debatit publik.
Struga këmbëngul: Korridori VIII duhet të kalojë përmes Strugës
