Rriten rastet e pickimeve nga rriqrat, mjekët apel qytetarëve të mos i heqin vetë

Mjekët nga qendra e urgjencës në Kumanovë kanë njoftuar për rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë pas pickimeve nga rriqrat dhe insektet e tjera.

Sipas tyre, me rritjen e temperaturave dhe frekuentimin më të madh të parqeve, zonave të gjelbra dhe pyjeve, shtohet edhe rreziku nga pickimet e rriqrave.

Mjekët u bëjnë apel qytetarëve që të mos përpiqen t’i largojnë vetë rriqrat, pasi kjo mund të shkaktojë komplikacione të mëtejshme.

Ata sqarojnë se jo çdo pickim është i rrezikshëm, por disa rriqra mund të jenë bartëse të baktereve ose viruseve infektive, si bakteri Borrelia që shkakton sëmundjen Lyme.

“Ne e heqim rriqrën dhe japim udhëzime të mëtejshme për pacientët. Në disa raste ata dërgohen edhe për kontrolle shtesë në repartin e sëmundjeve infektive”, kanë bërë të ditur mjekët.