Snopçe kërkon kujdes nga Durmishi: Mos veproni me lajme nga WhatsApp-i

Deputeti Halil Snopçe ka reaguar ashpër ndaj ministrit Besar Durmishi, duke e akuzuar për përdorim të informatave të paverifikuara dhe për deklarata politike të nxituara në raport me çështje të ndjeshme.

Snopçe tha se i ka parashtruar ministrit pyetje se mbi çfarë baze ka konstatuar se ministri Hoxha ka ofenduar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se një informacion i tillë është përgënjeshtruar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

“I thashë ministrit Durmishi të ketë kujdes kur del me reagime të tilla. Edhe përkundër përgënjeshtrimit zyrtar, ai kërkon falje nga ministri Hoxha dhe mbështetet në informacione të paverifikuara, madje të ardhura nga burime si WhatsApp-i”, u shpreh Snopçe.

Ai shtoi se këto deklarata, sipas tij, po dëmtojnë marrëdhëniet mes shqiptarëve në rajon dhe po shërbejnë interesave të elitave politike maqedonase.

“Ka pasur sulme edhe ndaj ambasadorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, z. Mejdani, dhe tani edhe ndaj ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Këto janë sulme të orkestruara nga elitat që nuk duan marrëdhënie të mira me Shqipërinë, ndërsa ministri Durmishi u shërben atyre”, tha ai.

Snopçe e quajti qasjen e ministrit “amaterizëm politik”, duke shtuar se prioritet duhet të jenë interesat e qytetarëve shqiptarë.

Ai ngriti edhe një sërë çështjesh ekonomike dhe politike, duke pyetur pse kompanitë shqiptare nuk përfituan nga huaja hungareze, pse ka rënie të investimeve të huaja direkte, rritje të çmimeve të energjisë dhe karburanteve, si dhe përkeqësim të raportit mes pagave dhe shportës konsumuese.

Në fund, Snopçe ngriti edhe pyetje politike lidhur me procesin eurointegrues, përdorimin e gjuhës shqipe në institucione, investimet dhe projektet infrastrukturore, duke thënë se qytetarët po përballen me një realitet gjithnjë e më të vështirë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *