10 vite e 15 ditë burg për 47-vjeçarin shqiptar në Itali

Një 47-vjeçar shqiptar është dënuar me 10 vjet e 15 ditë burg nga drejtësia italiane, pas zbulimit të një sasie të madhe droge dhe armësh gjatë kontrolleve në dy banesa të lidhura me të.

Bëhet fjalë për Artur Hysenajn, ndaj të cilit autoritetet italiane kanë vendosur edhe një gjobë prej mbi 66 mijë eurosh, si dhe ndalimin e përjetshëm për mbajtjen e posteve publike.

Gjatë operacionit të zhvilluar më 20 prill, karabinierët sekuestruan 22 kilogramë kokainë, e cila sipas hetimeve kishte një vlerë të përllogaritur në treg prej më shumë se 4 milionë eurosh.

Përveç lëndës narkotike, në dy banesat u gjetën edhe pesë pistoleta, një silenciator dhe mbi 200 fishekë.

Hetimet ndaj 47-vjeçarit kishin nisur pas monitorimit të lëvizjeve të tij nga forcat e rendit. Sipas raportimeve, Hysenaj ishte i njohur më parë për autoritetet italiane.

Operacioni përfundoi me sekuestrimin e drogës dhe arsenalit të armëve, ndërsa tashmë ndaj tij është dhënë një dënim i rëndë me burgim.