Një 52-vjeçar nga Tetova, Taxhedin Murati, ka humbur jetën tragjikisht të enjten në Gjermani, pasi ka rënë nga kati i katërt i një skelëje gjatë kohës që ishte në punë.
Lajmin e kanë konfirmuar të afërm të të ndjerit. Taxhedin Murati ishte babai i Hafiz Almir Muratit, hoxhës së Xhamisë së Larme në Tetovë.
Sipas Policisë së Brandenburgut, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:50. 52-vjeçari, shtetas i Maqedonisë së Veriut, ishte duke punuar në një skelë kur, për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura, ka rënë nga kati i katërt.
Ekipet e emergjencës kanë tentuar ta reanimonin, por 52-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Policia gjermane e konsideron paraprakisht rastin si aksident në vendin e punës. Në hetim është përfshirë edhe Zyra për Mbrojtjen në Punë, ndërsa përdorimi i skelës është ndaluar përkohësisht deri në sqarimin e plotë të rrethanave.
