Mes mungesës së stafit profesional, reagimeve të vonuara dhe tendencës për t’i minimizuar rastet për të ruajtur imazhin e institucioneve, përdorimi i lëndëve narkotike mes nxënësve vazhdon të mbetet alarmant në shkollat e mesme në Pollog. Përfaqësues të nxënësve dhe gazetarë vlerësojnë se shkollat dhe institucionet shpesh dështojnë të trajtojnë seriozisht problemin, duke u fokusuar më shumë te formalitetet dhe heshtja sesa te parandalimi, mbështetja profesionale dhe krijimi i besimit te të rinjtë, shkruan Portalb.mk.
Ky problem po shoqërohet me kritika për trajtim sipërfaqësor, mungesë të besimit te shërbimet profesionale dhe reagime institucionale që shpesh vijnë vetëm pasi situata del jashtë kontrollit.
Kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në Tetovë – Ardian Ramadani për Portalb.mk thotë se situata me narkotikët është shqetësuese, ndërsa siç thotë ai qasja e shkollave ndaj problemit mbetet sipërfaqësore.
“Nuk mjafton që herë pas here të mbahen ligjërata të thata, të plotësohen formularë apo të raportohet në letër se janë realizuar aktivitete parandaluese. Problemi është se shpesh nuk ka punë reale me nxënësit, nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë, nuk ka ndjekje të vazhdueshme të rasteve dhe nuk ka metodë moderne për t’i kuptuar shqetësimet e tyre”, thotë Ramadani.
Ai thotë se në disa shkolla është vërejtur pasivitet jo vetëm në trajtimin e dukurive si përdorimi i narkotikëve, por edhe në mbrojtjen e të drejtave të nxënësve dhe në reagimin ndaj shkeljeve të tjera që prekin dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.
“Një shqetësim edhe më i madh është zbehja e besimit të nxënësve ndaj këtyre shërbimeve. Nëse një nxënës nuk është i sigurt se biseda me psikologun, pedagogun apo ndonjë përgjegjës tjetër do të mbetet konfidenciale, atëherë ai nuk do të kërkojë ndihmë. Dhe në disa raste, për fat të keq, nxënësit kanë fituar bindjen se ajo që thuhet në zyrat e këtyre shërbimeve mund të përhapet në ambientin shkollor”, tha Ramadani.
Ai thekson se drejtoritë e shkollave nuk kanë treguar gjithmonë interes të mjaftueshëm për një përballje të drejtpërdrejtë me këto dukuri.
“Shpesh reagimi vjen vetëm kur problemi bëhet publik, kur ndodh një incident ose kur situata del jashtë kontrollit. Kjo nuk është parandalim. Kjo është reagim i vonuar”, tha Ramadani.
Ramadani thotë se shqetësuese është edhe heshtja brenda vetë shkollave.
“Nëse një profesor, kujdestar klase apo përgjegjës shkollor vëren qartë se një nxënës është në gjendje të rënduar, nën ndikim apo në rrezik, dhe nuk e raporton rastin, atëherë kemi dështim moral dhe institucional. Nuk dua të përgjithësoj, sepse ka edhe profesorë e profesionistë të përgjegjshëm, por heshtja në këto raste e mbron problemin, jo nxënësin. Shkolla nuk guxon të sillet sikur nuk sheh”, thotë ai.
Ai thotë se në këtë temë nuk ka nevojë propagandë institucionale dhe as fshehje e rasteve për të ruajtur imazhin e shkollave.
“Na duhet sinqeritet. Sepse një shkollë nuk dëmtohet kur e pranon se ka problem; dëmtohet kur e fsheh atë. Heshtja nuk është zgjidhje. Heshtja vetëm e bën problemin më të thellë”, thotë Ramadani.
Ndër të tjera ai shton se organet e rendit dhe insttitucioner përgjegjëse duhet të jenë shumë më të vendosura në trajtimine këtyre rasteve dhe t’i trajtojnë siç duhet, me plane dhe masa konkrete.
Edhe gazetari nga Tetova – Senat Zylbeharinga përvoja e tij tregon se ka hasur në raste kur nga shkollat ka pasur tendencë që rastet e përdorimit të narkotikëve apo sjelljeve tjera devijante të mbeten të heshtura.
Zylbehari thotë se problemi me përdorimin e lëndëve narkotike te të rinjtë nuk mund të trajtohet duke mbyllur sytë ose duke u sjellë sikur fenomeni nuk ekziston.
Ai shton se për vite me radhë institucionet arsimore dhe autoritetet reagojnë vetëm pasi ndodh ndonjë rast alarmant, ndërkohë që mungon puna serioze parandaluese nëpër shkolla.
“Shkollat shpesh fokusohen më shumë te ruajtja e imazhit sesa te adresimi i problemit. Ka tendencë që rastet të minimizohen për të mos u ‘njollosur’ emri i institucionit, por heshtja nuk e zgjidh fenomenin. Përkundrazi, e bën më të rrezikshëm. Si gazetarë shpesh hasim në refuzim dhe tendencë për të mos i trajtuar rastet e tilla, por nëse nuk flitet hapur për këtë dukuri dhe nëse mungon bashkëpunimi mes shkollës, prindërve dhe institucioneve, atëherë të rinjtë mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze pa asnjë mekanizëm real mbrojtës”, tha Zylbheari.
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Armela Hyseni, ka bërë një zbulim interesant gjatë…
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë festimit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ka komentuar protestën…
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Egi, ka ndarë një detaj të panjohur nga…
Autoritetet turke kanë zhvilluar një operacion policor në shkallë të gjerë në kuadër të një…
Reperi i njohur Gold AG vazhdon të mbetet një nga artistët që e ruan me…
Një zjarr ka shpërthyer në një ndërtesë banimi në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, duke…