Categories: Ndryshe

Për çdo qime të Kurbanit tënd, ti fiton një sevap!

‘’Lexoju(o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijëve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras.” Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” (el-Maide, 27).

Duke na rrëfyer për djemtë e Ademit, Kabilin dhe Habilin, Allahu i Madhëruari na njofton se Ai e ka obliguar njeriun me kurban që me hapat e parë mbi Tokë.

Duke na rrëfyer për Ibrahimin (a.s.), Ai na flet sërish për kurbanin. Ibrahimi (a.s.) e theri kurbanin dhe me gatishmërinë e tij për sakrificë e arriti gradën e mikut të Allahut. Allahu i Plotfuqishëm, siç thotë Ai në Kuran, e mori Ibrahimin )a.s.) për mik, ndërsa Ibrahimi )a.s.) i lutej Zotit të botëve: “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” – Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! – Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” (es-Saffat, 100-102).

Për të gjithë të dërguarit dhe për të gjithë popujt, kurbani ka qenë obligim. Ja konfirmimi për këtë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim…” (el-Haxhxh, 34).

Duke e dërguar Muhamedin )a.s.) te mbarë njerëzimi dhe duke e urdhëruar atë që të therrë kurban, kurbani mbetet obligim i njeriut deri në Ditën e Gjykimit. Kështu, kurbani që nga Ademi, qëmoti e deri në Ditën e Gjykimit, përgjithmonë, është detyrë e njeriut. Allahu i Plotfuqishëm, në Librin e shpallur njerëzimit dhe në suren e njohur për të gjithë ne, thotë: “Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira, – andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! – Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.” (el-Kevther, 1-3).

Në çdo vepër, më i rëndësishmi është nijeti. Kurbani i Habilit u pranua për shkak të nijetit të pastër dhe të sinqertë. Ibrahimi )a.s.) as që e flijoi atë që Allahu i Plotfuqishëm kërkoi prej tij; ai u sprovua vetëm përmes thirrjes për sakrificë. Allahu i Plotfuqishëm flet për këtë: “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. – Ne e thirrëm: “O Ibrahim, – ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! – Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! – Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.” (es-Saffat, 103-107). Që nijeti është më i rëndësishëm se vetë vepra, e tregon pikërisht shembulli i Ibrahimit )a.s.), sepse për shkak të gatishmërisë së tij të sinqertë për sakrificë, ai u bë mik i Allahut të Plotfuqishëm.

Edhe neve Allahu i Plotfuqishëm na mëson se në kurbanët tanë nuk është e rëndësishme sasia e mishit, por sinqeriteti i nijetit. I Lartësuari na thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” (el-Haxhxh, 37). Allahu i Plotfuqishëm kërkon nga njerëzit që të jenë të gatshëm për sakrificë, dhe ajo sakrificë duhet të jetë e sinqertë ashtu siç ishte sakrifia e Habilit, dhe ashtu siç ishte ajo e Ibrahimit )a.s.). Allahu i Plotfuqishëm e pranon veprën e bërë me sinqeritet, dhe çdo vepër e tillë e afron njeriun me Zotin. Njëri djalë i Ademit e sakrifikoi një dash, kurse tjetri kallinjtë e grurit të tij. Nuk bëhet problem se çfarë sollën si kurban, por me çfarë nijeti e bënë atë. Ibrahimi (a.s.( nuk e theri Ismailin, por pa dyshim që vendosi prerazi që ta bënte këtë për hir të Allahut të Plotfuqishëm „andaj Allahu e zëvendësoi atë me një kurban të madh.“

Muhamedi )a.s.) i nxit njerëzit që të bëjnë mirë, kurse në ditët e Bajramit që po i presim, nuk ka mirësi më të madhe dhe më të rëndësishme sesa therrja e kurbanit. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi )r.a.), se ka thënë: „Pasi e falëm namazin e Bajramit, të Dërguarit (savs) ia sollën dy desh të mëdhenj me brirë; ai këndoi tekbire dhe i theri. Zejdi e pyeti: ‘Çfarë janë këta kurbanë?’, ndërsa i Dërguari (savs) i tha: ‘Ky është suneti i babait tonë, Ibrahimit a.s.’ Zejdi pyeti sërish: ‘Po ne, çfarë kemi nga kjo?’ I Dërguari (savs)  tha: ‘Për çdo qime të kurbanit tënd, ti ke një sevap’. Muhamedi (savs), gjithashtu ka thënë: „Nuk ka vepër të njeriut në ditët e Bajramit të Kurbanit që është më e dashur tek Allahu i Plotfuqishëm sesa derdhja e gjakut të kurbanit.“ Po ashtu i Dërguari (savs) thotë: „Në asgjë tjetër nuk i keni investuar paratë më mirë sesa në atë që therni në ditët e Bajramit të Kurbanit.“

Shpërblimi për kurbanin është i jashtëzakonshëm. Muhamedi (savs) thotë: „Allahu i Plotfuqishëm e pranon gjakun e kurbanit tuaj para se ai të bjerë në tokë, dhe me rënien e pikave të para të gjakut, Allahu i Plotfuqishëm ia fal mëkatet atij që therr kurban.“ Pejgamberi (savs) gjithashtu thotë: „Kush therr kurban me nijet të pastër, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij, kurbani do të jetë për të mburojë nga zjarri.“

Deri në Bajramin e Kurbanit kanë mbetur edhe 11 (njëmbëdhjetë( ditë. Kjo është ende kohë e mjaftueshme që, nëse po hezitojmë se a do të bëjmë kurban apo jo, që ta mposhtim hezitimin për hir të Allahut të Plotfuqishëm dhe të vendosim me sinqeritet për ta bërë atë që e bënë djemtë e Ademit, atë që e bëri Ibrahimi )a.s.) dhe atë që e bëri dhe na e urdhëroi Muhamedi )a.s.). Ne mësojmë nga kurbani se ai, përveçse na afron me Krijuesin, na afron edhe me njëri-tjetrin. Mishi i kurbanit, sipas rregullave islame, u takon; 1. familjes, 2. të afërmve dhe fqinjëve dhe 3. të varfërve. Duke e ndarë të tretën e parë për familjen, mësojmë se sa e rëndësishme është ajo dhe ku qëndron në prioritetet tona. Duke e ndarë të dytën për të afërmit dhe fqinjët, ia kujtojmë vetes obligimin besimtar për ruajtjen e lidhjeve farefisnore dhe fqinjësore. Duke e ndarë të tretën e fundit për të varfrit, ne e përmbushim detyrën që të gjithë njerëzit në ditët e Bajramit ta ndiejnë gëzimin dhe përkujdesjen e besimtarit për tjetrin, e cila duhet të jetë e përhershme dhe e pandërprerë. Ashtu siç na mbron kurbani nga zjarri, ashtu edhe sadakaja na mbron nga zjarri.

I lutemi Allahut të Madhëruar që ta pranojë çdo sakrificë tonën, dhe që kurbanët tanë t’i bëjë mjet të sigurt për ne gjatë kalimit mbi urën e Siratit. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

Admin1

Recent Posts

Mesazh nga Neymar për ish-banoren e BBVA

Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Armela Hyseni, ka bërë një zbulim interesant gjatë…

9 hours ago

Edi Rama: “Ata nga Tetova dhe Kosova hedhin gurë në bulevard dhe fshehin dorën”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë festimit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ka komentuar protestën…

9 hours ago

Egi zbulon një episod me Rogertin nga BBVA: “Zgjodha të mos e çoja më tej”

Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Egi, ka ndarë një detaj të panjohur nga…

20 hours ago

Arrestohet kryebashkiaku i Silivrit, operacion i gjerë kundër korrupsionit në Turqi

Autoritetet turke kanë zhvilluar një operacion policor në shkallë të gjerë në kuadër të një…

20 hours ago

Gold AG shfaqet pranë bashkëshortes në një moment të rrallë publik

Reperi i njohur Gold AG vazhdon të mbetet një nga artistët që e ruan me…

20 hours ago

Zjarr në një ndërtesë në Kisella Vodë, banorët evakuohen mes panikut

Një zjarr ka shpërthyer në një ndërtesë banimi në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, duke…

20 hours ago