Mbi 1.7 milionë haxhilerë u mblodhën para agimit të së mërkurës në Mina për të kryer ritin simbolik të gjuajtjes së gurëve ndaj shtyllës që përfaqëson djallin, duke shënuar fillimin e Kurban Bajramit. Kjo ndodhi pasi ata kaluan natën në Muzdelife, një nga etapat më të rëndësishme të haxhit.
Pas qëndrimit në Arafat, haxhilerët mblodhën gurë të vegjël në Muzdelife për ritin e gjuajtjes së “Xhemretul Akabes”, shtyllës më të madhe nga tri shtyllat që simbolizojnë shejtanin.
Lëvizja e miliona besimtarëve nga Arafati në Muzdelife dhe më pas në Mina u zhvillua nën masa të gjera sigurie, shëndetësore dhe transporti. Autoritetet saudite vendosën pika freskuese me spërkatje uji përgjatë rrugëve për të lehtësuar temperaturat e larta të shkretëtirës.
Në Muzdelife, haxhilerët e kaluan natën në lutje dhe lexim të Kuranit, përpara se të niseshin në agim drejt Minës për ritin e parë të gjuajtjes së gurëve në ditën e tretë të haxhit, e njohur si Dita e Kurbanit.
Pas këtij rituali, haxhilerët kryejnë therjen e kurbanit dhe rruajnë ose shkurtojnë flokët, duke shënuar daljen e pjesshme nga gjendja e ihramit. Më pas, shumë prej tyre shkojnë në Qaben e Shenjtë në Mekë për të kryer tavafin dhe sajin.
Një ditë më parë, miliona haxhilerë u mblodhën në fushën e Arafatit, kulmi shpirtëror i haxhit, ku u lutën dhe dëgjuan hutben tradicionale të haxhit në Xhaminë Nemira.
Sipas autoriteteve saudite, këtë vit haxhin po e kryejnë 1,707,301 haxhilerë, një rritje prej 2.04 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Prej tyre, mbi 1.5 milionë kanë ardhur nga jashtë Arabisë Saudite, ndërsa rreth 160 mijë janë banorë dhe rezidentë të vendit.
Për mbarëvajtjen e haxhit janë angazhuar më shumë se 441 mijë punonjës të sigurisë, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera, të cilët po mbikëqyrin lëvizjen dhe sigurinë e haxhilerëve gjatë ditëve të mbetura të haxhit. /mesazhi
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Armela Hyseni, ka bërë një zbulim interesant gjatë…
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë festimit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ka komentuar protestën…
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Egi, ka ndarë një detaj të panjohur nga…
Autoritetet turke kanë zhvilluar një operacion policor në shkallë të gjerë në kuadër të një…
Reperi i njohur Gold AG vazhdon të mbetet një nga artistët që e ruan me…
Një zjarr ka shpërthyer në një ndërtesë banimi në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, duke…