Pasi ish-presidenti Stevo Pendarovski e kontestoi publikisht tezën se nuk bëhet fjalë për aferë vetëm sepse dokumentet e klasifikuara ruhen në letër, rasti me qasjen e paautorizuar në sistemin informatik të Kabinetit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova po vazhdon të ngrejë pyetje në publik. Në një intervistë për “360 Gradë“ Pendarovski konfirmoi se gjatë mandatit të tij dokumentet e klasifikuara vërtetë janë dorëzuar dhe arkivuar në formë të shkruar, por theksoi se kjo nuk do të thotë që informacione të tjera të ndjeshme nuk kanë mundur të jenë subjekt i një qasjeje të paautorizuar, shkruan CivilMedia, transmeton Portalb.mk.
“Është e vërtetë se të gjitha dokumentet e klasifikuara, të paktën deri para dy viteve, pranoheshin në letër. Dhe në atë formë edhe arkivoheshin. Por, të thuash se nuk ka aferë sepse gjithçka pranohet në formë të shkruar, do të thotë që ta shpërfillësh faktin se është pezulluar një teknik i TI-së“, deklaroi Pendarovski.
Pyetja e tij kyçe është e thjeshtë:
“Themi se nuk ka aferë – për çfarë është pezulluar? Thjesht, pse është pezulluar?“
Sipas ish-presidentit edhe sikur dokumentet e klasifikuara të mos jenë të qasshme përmes rrjetit kompjuterik, mbetet mundësia për qasje në komunikimin elektronik, email-et zyrtare dhe korrespondencën e brendshme.
“Mirë, po a mund të nxirren email-et, korrespondenca brenda në kabinet ose nga unë drejtuar Qeverisë, deri te ministritë – ka edhe email-e“, tha Pendarovski.
Ai përkujtoi se personi që përmendet në publik si pjesë e rastit ka punuar në Kabinetin e Presidentit edhe gjatë mandateve të ish-presidentit Gjorge Ivanov dhe vetë Pendarovskit, por që më parë nuk janë regjistruar incidente të ngjashme.
“Në 10 vitet e Ivanovit nuk kemi dëgjuar për një aferë të këtillë. Në pesë vitet e mia nuk kemi dëgjuar as për indicie se ai person ka bërë gjëra të këtilla. Ka punuar edhe te unë edhe te Ivanovi. Tani po ndodh dhe publiku meriton të paktën një përgjigje se për çfarë bëhet fjalë“, deklaroi ai.
Pikërisht kjo pyetje është në fokus edhe të analizave që u shfaqën në publik pas publikimit të rastit.
Në kolumnën “AFERA E SPIUNAZHIT: Përderisa po spiuniohet NATO, qeveria e Mickoskit krijon politika sipas modelit të Moskës“ të publikuar në CIVIL Media, Xhabir Deralla paralajmëron se debati nuk duhet të reduktohet vetëm në atë nëse dokumentet e klasifikuara janë ruajtur në letër apo në formë elektronike. Esenca e këtij rasti është nëse ka pasur qasje të paautorizuar në sistemet informatike dhe kanalet e komunikimit të institucionit.
“Çështja nuk është nëse dikush ka vjedhur një dokument, por nëse është depërtuar në sistem“, thuhet në kolumnë.
Deralla vlerëson se një depërtim i mundshëm në infrastrukturën informatike të Kabinetit të Presidentes paraqet një çështje serioze të sigurisë për shtetin, sidomos nëse e kemi parasysh anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe detyrimet që burojnë nga shkëmbimi dhe mbrojtja e informacioneve me aleatët.
Në këtë drejtim edhe pyetjet që i ngre Pendarovski lidhen me dilemën që po imponohet gjithnjë e më shumë në publik – nëse ky rast është një lëshim administrativ, keqpërdorim individual apo incident sigurie me implikime më të gjera.
E përderisa institucionet pretendojnë se po veprojnë në pajtim me procedurat ligjore, ndërsa Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vlerëson se nuk ka bazë që rasti të kualifikohet si një aferë spiunazhi, ish-presidenti është i mendimit se nevojitet një shpjegim më i detajuar për rrethanat.
Sipas tij, fakti që është ngritur procedurë dhe që është pezulluar një punonjës i ngarkuar për mirëmbajtjen e rrjetit kompjuterik është arsye e mjaftueshme që publikut t’i jepet informacion i qartë dhe i plotë për atë se çfarë ka ndodhur saktësisht me sistemin informatik të një prej institucioneve më të rëndësishme shtetërore.
Për momentin mbeten të hapura pyetjet nëse ka pasur qasje të paautorizuar në komunikime dhe të dhëna, cilat kanë qenë përmasat e depërtimit të mundshëm dhe nëse rasti ka implikime më të gjera të sigurisë. Pikërisht përgjigjet e këtyre pyetjeve do të tregojnë nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar, apo për një aferë që meriton vëmendje shumë më të madhe nga institucionet dhe publiku.
Rastin e raportoi paraprakisht Slloboden Peçat. Sipas informacioneve të mediumit, në Prokurori dhe në redaksinë e gazetës ishte dorëzuar një kallëzim penal anonim, i nënshkruar nga “një grup të punësuarish në MPB”, në të cilin pretendohet se të dhëna konfidenciale janë kopjuar dhe enkriptuar, me dyshimin se mund të kenë përfunduar tek shërbime të huaja të inteligjencës.
Në kallëzim, siç shkruan “Slloboden Peçat”, nën dyshim është një administrator IT në Kabinetin e presidentes, ndërsa përmenden edhe funksionarë të tjerë nga Kabineti dhe nga Agjencia e Inteligjencës, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kenë marrë pjesë në fshehjen e provave.
Nënshkruesit e kallëzimit kanë kërkuar ekspertizë forenzike të pajisjeve elektronike, kontroll të video-mbikëqyrjes, regjistrave VPN, komunikimeve elektronike dhe informacioneve të klasifikuara apo komunikimeve të NATO-s që mund të jenë komprometuar.
Nga Prokuroria kanë konfirmuar për “Slloboden Peçat” se që nga dhjetori i vitit të kaluar po zhvillohet hetim paraprak pas një “alarmimi” të marrë nga Sektori për krim kompjuterik pranë MPB-së. Në kuadër të procedurës janë lëshuar urdhra për kontroll të sistemeve kompjuterike dhe nxjerrje të të dhënave nga kompjuterët e dorëzuar nga Kabineti i presidentes.
Megjithatë, hetimi ende nuk ka përfunduar, pasi sipas Prokurorisë nuk është dorëzuar raporti përfundimtar për dekriptimin e të dhënave që dyshohet se janë nxjerrë, thuhet në publikimin e “Slloboden Peçat”.
Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të…
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Armela Hyseni, ka bërë një zbulim interesant gjatë…
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë festimit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ka komentuar protestën…
Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania 5”, Egi, ka ndarë një detaj të panjohur nga…
Autoritetet turke kanë zhvilluar një operacion policor në shkallë të gjerë në kuadër të një…
Reperi i njohur Gold AG vazhdon të mbetet një nga artistët që e ruan me…