“Daut Haradinaj”, kënga më e re nga Lok Komoni tashmë para publikut

Këngëtari i njohur nga Deçani, Lok Komoni, ka prezantuar projektin e tij më të ri muzikor me titull “Daut Haradinaj”, një këngë me tematikë patriotike që i kushtohet një prej figurave më të njohura të luftës dhe jetës politike në Kosovë.

I njohur për repertorin e tij që prek vlerat familjare, atdhetare dhe traditën shqiptare, Komoni edhe kësaj radhe mbetet besnik stilit të tij, duke sjellë një projekt të ngarkuar me simbolikë dhe emocion.

Kënga është realizuar me muzikë dhe produksion nga Çelik Lipa (SBS), ndërsa teksti është shkruar nga Besnik Zukaj. Solo në këtë projekt interpretohet nga Gent Hoxha, ndërsa për videoklipin është përkujdesur Adriatik Asllani nga A Films. Producentë ekzekutivë të projektit janë Labinot Nuraj dhe Jetmir Agaj.

Me “Daut Haradinaj”, Lok Komoni vazhdon të sjellë këngë që lidhen ngushtë me identitetin kombëtar dhe figurat e njohura shqiptare, duke synuar të prekë zemrat e publikut që vlerëson muzikën me mesazh dhe frymë patriotike.