Arsi Bako është shpallur fituese e Festivalit të Pranverës me këngën “Humb”, në një garë të ngushtë mes artistëve pjesëmarrës.
Rezultati përfundimtar u përcaktua nga kombinimi i votave të jurisë profesionale dhe jurisë digjitale, sipas formulës së vendosur nga organizatorët. Arsi Bako grumbulloi gjithsej 260 pikë, duke siguruar fitoren dhe njëkohësisht një vend të garantuar në Festivalin e Këngës në RTSH, që pritet të mbahet në fund të vitit.
Në vendin e dytë u rendit Herva Novaku me këngën “Zemër në dy hap”, e cila mori 242 pikë, ndërsa vendi i tretë i takoi Jet me këngën “Në derë do t’i qaj”, me 174 pikë.
Rikthimi i Festivalit të Pranverës pas më shumë se dy dekadash mungesë u shoqërua me një mbrëmje festive në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke sjellë në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare.
Përveç garës, publiku pati mundësinë të ndjekë edhe performanca nga artistë si Aleksandër Gjoka, Frederik Ndoci, Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa, Jonida Maliqi, Dashnor Diko, Adhurim Demiri dhe Renis Gjoka.
