Alis Kallaci mesazh prekës pas finales së Eurovisionit

Alis Kallaci ka përmbyllur eksperiencën e tij në Eurovision Song Contest 2026 duke u renditur në vendin e 13-të me këngën “Nan”.

Performanca e artistit të ri u prit me emocione dhe mbështetje të madhe nga publiku shqiptar dhe fansat e Eurovisionit, ndërsa ai arriti të tërhiqte vëmendje gjatë gjithë kompeticionit me interpretimin e tij emocional.

Pas finales, Alis ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku falënderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi të rëndësishëm në karrierën e tij artistike.

“Kur nisi gjithçka, mu duk si diçka shumë më e madhe se vetja ime”, shkroi këngëtari, duke treguar emocionet dhe pasiguritë që kishte ndjerë si artist i ri në një skenë kaq të madhe ndërkombëtare.

Ai theksoi se mbështetja e publikut, votat dhe mesazhet e shumta nga shqiptarët kanë qenë forca më e madhe gjatë gjithë aventurës në Eurovision.

Sipas Alisit, kjo eksperiencë do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij, pasi përveç aspektit artistik, ai ka mësuar shumë edhe në planin personal dhe emocional.

Postimi i tij është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku ndjekësit e kanë përgëzuar për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në Eurovision 2026.