Akuza penale për keqpërdorime në prokurimin publik, reagon policia financiare

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër personave N.I. dhe B.G. në cilësinë e drejtuesve të personave juridikë, kundër dy personave juridikë, si dhe kundër pesë të punësuarve në Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar: F.A., G.A., P.K., F.J. dhe A.B., për shkak të dyshimeve për veprën penale “Keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për furnizim publik ose partneritet publiko-privat” sipas nenit 275-v të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

Të denoncuarit N.I. dhe B.G., si drejtues të dy personave juridikë, gjatë vitit 2021 me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar kanë shkelur rregullat e procedurës për thirrje publike dhe dhënie të kontratës për furnizim publik. Me marrëveshje paraprake dhe veprime të koordinuara kanë dëmtuar konkurrencën në procedurën për shitjen e automjeteve të aksidentuara si hekur i vjetër, e organizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar.

Njëri nga subjektet juridike është paraqitur si konkurrent formal, ndërsa gjatë ankandit publik është dorëzuar ofertë me gabim teknik të qëllimshëm në një shumë joreale parash, duke ua pamundësuar pjesëmarrësve të tjerë vazhdimin e ankandit.

Të denoncuarit G.A., P.K. dhe F.J., si anëtarë të komisionit për zbatimin e procedurës, në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, përfitimit pasuror dhe sendeve të sekuestruara në procedurë penale dhe kundërvajtëse, ndërsa në bazë të një akti nënligjor dhe mendimit juridik të përgatitur nga A.B., me vetëdije kanë ndihmuar në realizimin e kësaj skeme të dakorduar dhe kanë mundësuar lidhjen e kontratës për shitjen e automjeteve të sekuestruara të aksidentuara si hekur i vjetër ndërmjet Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar, e përfaqësuar nga F.A., dhe subjektit juridik të drejtuar nga N.I., duke i mundësuar këtij subjekti përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 2.128.352 denarësh./4news.mk/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *