Një gjykatë në Andorrë ka regjistruar disa futbollistë të njohur si persona nën hetim në një çështje që lidhet me blerjen e orëve luksoze dhe dyshime për shmangie tatimore.
Hetimi, i drejtuar nga magjistrati Juan Carles Moynat, lidhet me veprimtari të një kompanie të regjistruar në Principatën e Andorrës, e cila dyshohet se është përdorur për të shmangur pagesën e TVSH-së në transaksione.
Mes emrave të përfshirë përmenden Daniel Carvajal, David Silva, Santi Cazorla, Giovani Lo Celso, Thomas Partey, César Azpilicueta dhe Joan Bernat. Autoritetet spanjolle kanë marrë pjesë gjithashtu në procedurat hetimore dhe kanë marrë në pyetje lojtarët lidhur me blerjen dhe transportin e orëve.
Sipas dokumenteve hetimore, bëhet fjalë për orë luksoze të markave si “Rolex” dhe “Patek Philippe”, të cilat dyshohet se janë qarkulluar përmes një rrjeti që synonte shmangien e taksave doganore dhe TVSH-së. Në disa raste, orët janë transportuar pa faturë të rregullt.
Si pjesë e hetimit përmendet edhe një biznesmen, Diego G.C., i cili ndodhet në paraburgim që nga viti 2025, i dyshuar për kontrabandë dhe pastrim parash.
Shumat e përfshira në blerje janë të konsiderueshme, duke filluar nga dhjetëra mijëra deri në qindra mijëra euro për secilin rast. Hetimet janë ende në zhvillim dhe autoritetet po sqarojnë rolin individual të futbollistëve, të cilët për momentin konsiderohen pjesë dytësore e çështjes krahasuar me organizatorët e dyshuar të skemës.
