Anglia ndryshon ligjin e emigracionit, ja çfarë duhet të dinë shqiptarët pa leje qëndrimi

Qeveria britanike ka propozuar ndryshime në Projektligjin për Imigracionin dhe Azilin, me synimin për të forcuar kontrollin mbi emigracionin, për të kufizuar abuzimet ligjore dhe për të përshpejtuar largimin e personave që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Një nga ndryshimet lidhet me mënyrën se si gjykatat do të vlerësojnë të drejtën për jetë private dhe familjare. Në shqyrtimin e rasteve, do të merret më shumë parasysh natyra e marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve, përfshirë kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e kontakteve.

Autoritetet synojnë gjithashtu të vlerësojnë më me kujdes kohën kur paraqiten provat dhe arsyet e vonesave, të cilat mund të ndikojnë në vlerësimin e kërkesave.

Ndryshimet e propozuara mund të prekin edhe emigrantët shqiptarë që mbështeten te kërkesat për azil ose te lidhjet familjare për të kundërshtuar largimin nga Britania. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se çdo person pa dokumente do të largohet automatikisht, pasi rastet vlerësohen sipas rrethanave konkrete.

Reformat parashikojnë edhe krijimin e një Autoriteti të Pavarur për Apelimet në Çështjet e Imigracionit (IIAA), me synimin për të përshpejtuar shqyrtimin e ankesave dhe për të kufizuar kërkesat e përsëritura që vonojnë procedurat.

Një tjetër propozim lidhet me shpenzimet e strehimit dhe mbështetjes financiare për azilkërkuesit. Personat që marrin ndihmë publike dhe kanë mundësi financiare mund të detyrohen të kontribuojnë në këto kosto, sipas një sistemi pagesash të përcaktuar nga autoritetet.