Hyrja në Kalanë e Shkupit do të jetë me pagesë pasi lokaliteti të rregullohet plotësisht dhe të hapet për vizitorët, bëri të ditur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Sipas paralajmërimit, punimet për rregullimin e Kalasë pritet të nisin këtë vit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, lokaliteti mund të marrë një pamje të re gjatë vitit të ardhshëm.
“Është normale që hyrja të paguhet. Jo tani, por kur të hapet, kur të rregullohet, ashtu siç ndodh kudo në botë”, deklaroi Mickoski.
Ai vlerësoi se gjendja aktuale nuk e shfrytëzon plotësisht potencialin e këtij lokaliteti historik dhe turistik të Shkupit.
Qeveria pritet të sigurojë mbështetje financiare dhe logjistike për rregullimin e Kalasë, ndërsa plani parasheh përfshirjen e saj në programin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”.
