Gjarpërinj helmues në mesin e kafshëve të sekuestruara nga dogana

Drejtoria e Doganave ka parandaluar kontrabandimin e shtatë zvarranikëve në pikën kufitare të Bogorodicës. Mes tyre ishin katër pitonë dhe një gjarpër helmues.

Zvarranikët u zbuluan gjatë kontrollit të një automjeti të drejtuar nga një shtetas i Kosovës, në bashkëpunim me policinë.

Sipas Doganës, ata ishin fshehur në kuti dhe shalle, nën ulësen e automjetit, me qëllim futjen e paligjshme në vend. Shumica u përkasin specieve të mbrojtura, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe një gjarpër helmues i llojit “Baron Sneake”.

Zvarranikët do t’u dorëzohen institucioneve kompetente, ndërsa ndaj personit është nisur procedurë përkatëse.

Drejtoria e Doganave rikujton se importimi i specieve të mbrojtura kërkon leje të posaçme, në përputhje me konventën ndërkombëtare për tregtinë e specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër.