Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë raportohet se ka lëshuar një ftesë zyrtare për paraqitje për kompozitorin Adrian Hila, në kuadër të verifikimeve lidhur me materialet private që kanë qarkulluar së fundmi në rrjet.
Sipas raportimeve, efektivët kanë shkuar në banesën e Hilës për ta shoqëruar, por nuk e kanë gjetur aty. Më pas, hetuesit kanë komunikuar me të në telefon për të marrë deklarimet e para.
Hila ka deklaruar se e konsideron veten viktimë të një sulmi kibernetik, duke pretenduar se videot mund të jenë siguruar nga persona të paidentifikuar.
“Dyshoj se videot janë hakeruar nga persona të paidentifikuar. Kamerat i kam vendosur sepse kam pasur incidente në studio”, ka deklaruar ai, sipas raportimeve.
Kompozitori ka bërë të ditur se do të paraqitet në polici sapo të mbërrijë në Tiranë.
Ndërkohë, Struktura e Krimit Kibernetik ka nisur verifikimet për të përcaktuar burimin dhe mënyrën e shpërndarjes së materialeve private në internet.
