Ori Nebiaj reagon për videot intime: “Ky është abuzim, jo argëtim”

Ish-deputetja e PD-së Ori Nebiaj ka reaguar lidhur me videot intime që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe pretendimet që lidhen me kompozitorin Adrian Hila dhe persona të tjerë të njohur të showbiz-it.

Në një postim në Facebook, Nebiaj ka kritikuar vëmendjen e madhe që po i kushtohet jetës private të personave të përfshirë, duke argumentuar se fokusi duhet të jetë te cenimi i privatësisë dhe shpërndarja e pamjeve intime pa pëlqim.

“Skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje”, ka shkruar ajo.

Nebiaj ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi penale për personat që, nëse provohet, filmojnë intimitetin e dikujt pa pëlqim dhe për ata që shpërndajnë materiale të tilla pa autorizim.

Ajo ka kritikuar edhe standardet e dyfishta ndaj grave në raste të tilla, duke thënë se shpesh ato përfundojnë në qendër të gjykimit publik.

Në fund të reagimit, Nebiaj ka përmendur emrin Adrian Hila dhe ka kërkuar që personat që kanë shpërndarë videot të përballen me përgjegjësi ligjore.

Ndërkohë, raportimet publike mbi materialet intime përmbajnë pretendime që nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, përfshirë mënyrën se si janë realizuar pamjet dhe nëse personat e shfaqur kanë qenë në dijeni apo kanë dhënë pëlqimin.