Ish-deputeti Azgan Haklaj ndalohet në kufirin e Bllatës

Ish-deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Azgan Haklaj, është ndaluar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Bllatë, në Dibër, raportojnë mediat.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat, emri i Haklajt ndodhet në të ashtuquajturën “stop-listë”. Megjithatë, deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet kompetente që sqaron arsyen konkrete të ndalimit apo sa do të zgjasë procedura.

Haklaj po udhëtonte drejt Shkupit, i shoqëruar nga gazetari Ferdinand Samarxhiu, për të marrë pjesë në marshin protestues të paralajmëruar për sot në Sheshin “Skënderbeu”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Marshi është paraparë të nisë në orën 14:00.

Azgan Haklaj është ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe drejtues i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. Ai është vlerësuar gjithashtu me titullin “Mjeshtër i Madh”.