Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka kritikuar koalicionin VLEN për politikat e punësimit, duke pretenduar se 35.757 shqiptarë figurojnë si të papunë aktivë, ndërsa Qeveria po hap kuota për punësimin e mijëra punëtorëve të huaj.
Sipas ASH-së, 40.3 për qind e të gjithë të papunëve në vend janë shqiptarë, ndërkohë që mbi 60 për qind e punëdhënësve deklarojnë se kanë nevojë për punëtorë dhe në vend ka mbi 10 mijë vende të lira pune.
Partia kritikon edhe mënyrën se si VLEN paraqet punësimet si sukses të qeverisjes.
“VLEN krenohet me rreth 2.000 punësime dhe avancime, ndërsa Mickoski flet për 17.000 vende të reja pune”, thuhet në reagimin e ASH-së.
ASH thekson se, paralelisht me mungesën e vendeve të punës për shqiptarët, vazhdon emigrimi drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë.
Në reagim, ASH akuzon VLEN-in se nuk po krijon perspektivë për të rinjtë shqiptarë dhe se është më i fokusuar në pozitat e pushtetit sesa në problemet ekonomike.
“Maqedonia po importon punëtorë. Shqiptarët po eksportojnë fëmijët e tyre. Dhe VLEN vazhdon të numërojë funksionet e veta si sukses”, deklaron ASH.
Partia e përmbyll reagimin me mesazhin: “Më shumë pushtet për VLEN-in, më pak shqiptarë në vend.”
