Arrestohet në Mal të Zi shtetasi i RMV-së i kërkuar për tentativë vrasjeje

Policia e Malit të Zi ka arrestuar në Nikshiq shtetasin e Maqedonisë së Veriut, Andrej Tanaskovski, i cili kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar për një rast të tentativës së vrasjes.

Sipas mediave malazeze, që i referohen burimeve nga Departamenti i Policisë, 19-vjeçari u arrestua në një apartament në lagjen Vidrovan. Bashkë me të u ndalua edhe Neno Markoviç (34) nga Nikshiqi, i cili dyshohet se e kishte ndihmuar Tanaskovskin të fshihej nga autoritetet pas ngjarjes.

Sipas policisë, Tanaskovski dyshohet se më 7 gusht 2025, në kompleksin hotelier “Maestral” në Budva, ka tentuar të vrasë Marko Ljubishën (56), i njohur si “Kan”, duke e plagosur me armë zjarri në kokë.

Autoritetet malazeze bëjnë të ditur se ndaj të dyshuarit rëndojnë edhe akuzat për armëmbajtje pa leje dhe falsifikim dokumentesh. Sipas hetimeve, ai kishte përdorur një letërnjoftim të rremë serb për t’u regjistruar në një objekt hotelier pranë vendit ku ndodhi sulmi.

Policia njoftoi se procedurat ligjore ndaj të arrestuarve do të vazhdojnë në përputhje me ligjin.