Aktivisti nga Tetova, Arianit Xhaferi, ka theksuar rëndësinë e protestës së studentëve shqiptarë në Shkup, duke e cilësuar kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe si plotësisht të drejtë.
Ai kritikoi mungesën e reagimit të organizuar studentor ndër vite, duke theksuar se studentët rrallë janë angazhuar në çështje publike si ndotja e ajrit, çmimet e energjisë, korrupsioni apo padrejtësitë gjatë pandemisë.
Xhaferi paralajmëroi se përfshirja e figurave politike dhe pseudo-gazetarëve mund ta dëmtojë protestën, duke e kthyer atë në mjet për interesa partiake. Sipas tij, studentët duhet ta udhëheqin vetë këtë proces, me dinjitet dhe pa ndërhyrje nga jashtë.
Ai gjithashtu u bëri thirrje mediave që të fokusohen te zëri autentik i studentëve dhe të shmangin promovimin e figurave politike, në mënyrë që protesta të ruajë karakterin e saj të pavarur.
