Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar pas shtyrjes së miratimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Kuvend, duke përgëzuar deputetët e partive shqiptare në opozitë për qëndrimin e tyre.
Në një reagim publik, Osmani tha se rezultati i votimit dëshmoi se legjitimiteti politik qëndron te partitë shqiptare në opozitë.
“Një gjë është e qartë: kush e ka Badenterin, e ka legjitimitetin. I përgëzoj deputetët e partive politike shqiptare në opozitë që dëshmuan se kush e ka legjitimitetin dhe që po pengojnë miratimin e një prej ligjeve më antishqiptare që ka propozuar ndonjë Qeveri në 25 vitet e fundit, të ashtuquajturit Ligj për përfaqësim të drejtë”, ka shkruar Osmani.
