Fëmijët me simptoma të përziera virale, rastet zgjasin deri në 5 ditë

Zhurnal.mk – Luhatja e ndjeshme e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka ndikuar në shëndetin e të vegjëlve.

Në urgjencën pediatrike të QSUT fëmijët kanë shfaqur probleme jo vetëm më infeksionet e marra në rrugët e sipërme të frymëmarrjes por edhe me gastroenteritet duke sjellë kështu një panoramë të përzier të simptomave.

“Aktualisht kemi infeksione të stinës, si infeksione virale, kryesisht që prekin rrugët respiratorë dhe kanë temperaturë e kollë, por ka dhe nga ta që prekin aparatin tretës që shoqërohen me temperaturë, të vjella dhe diarre. Infeksioni shkon nga 4 deri në 5 ditë”, u shpreh mjeku Albert Lama, shef i Urgjencës Pediatrike, QSUT

Flukset ditore shkojnë nga 150-200 raste në 24 orë por fundjavat mbeten më të ngarkuara. Pjesa më e madhe ndiqen ambulatorisht.

“10-15% të rasteve kanë nevojë për trajtim spitalor”, tha mjeku.

Shefi i urgjencës këshillon ndjekjen e fëmijëve pranë mjekut të familjes kur simptomat që shfaq nuk paraqesin urgjencë.

“Vizita parësore duhet kryer pranë mjekut të familjes dhe në urgjencë shfaqen vetëm ata që kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm”, u shpreh ai.

Aktualisht më vështirësi në frymëmarrje po paraqiten edhe shumë fëmijë të cilët gjatë këtij sezoni ju rishfaqen ngacmimet alergjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *