Rrugët e Dizhonit prej një viti në baltë, punimet nisën para fushatës

Rreth një vit më parë, rrugicat e lagjes Dizhon në Komunën e Çairit ishin të bllokuara dhe të pakalueshme për shkak të punimeve me makineri të rënda. Një vit më vonë, situata mbetet pothuajse e njëjtë – këtë herë jo nga punimet, por nga balta e krijuar si pasojë e reshjeve të shiut.

Për shkak të kushteve të motit, qarkullimi në këto rrugë është vështirësuar ndjeshëm, duke krijuar probleme për lëvizjen e përditshme të banorëve.

Lidhur me arsyet e zvarritjes së punimeve dhe afatet për asfaltim, TV Shenja ka kontaktuar Komunën e Çairit, nga ku bëjnë të ditur se projektet po realizohen sipas planit.

Sipas komunës, në një nga rrugicat është përfunduar ndërtimi i rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, përfshirë edhe kyçjet për çdo shtëpi, ndërsa asfaltimi në atë pjesë është realizuar plotësisht.

“Aktualisht po zhvillohen teste në rrjetin kryesor të ujësjellësit, pas së cilës do të vijojë procesi i kyçjeve individuale. Në total, realizimi i punimeve në këtë zonë ka arritur mbi 70% dhe pritet që fazat e mbetura të përfundojnë së shpejti”, thuhet nga Komuna e Çairit.

Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se projekti përfshin asfaltimin e 18 rrugëve, ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimit fekal dhe ujësjellësit, si dhe rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës rrugore. Sipas tyre, rrjeti i kanalizimit fekal tashmë është përfunduar në të gjitha rrugët dhe degëzimet përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *