“Më sulmuan 6-8 persona” – Dëshmia e Cllevios në gjykatë

Në Gjykatën e Posaçme ka dëshmuar Kleviol Ahmeti, i njohur si “Cllevio”, ku është pyetur mbi raportet e tij me disa persona të njohur dhe ngjarje të ndryshme që lidhen me konflikte të mëparshme.

Ai ka mohuar çdo lidhje me të pandehur të tjerë, duke sqaruar se njohja e tij me Laert Haxhiun vjen vetëm nga fakti që janë fqinj në Lushnjë. Sipas tij, familjet njihen prej vitesh dhe dikur kanë qenë të afërt, por kontaktet mes tyre janë ndërprerë prej kohësh.

Në dëshminë e tij, Ahmeti tregoi edhe për jetën e tij, duke deklaruar se ka jetuar në SHBA, ndërsa më pas është përballur me periudha të ndryshme burgimi në Shqipëri. Ai shtoi se që nga lirimi në vitin 2020 nuk ka pasur më asnjë komunikim me persona të përmendur në dosje.

Lidhur me konfliktin me reperin Rigels Rajku, të njohur si Noizy, Cllevio tha se përplasja mes tyre ka qenë fillimisht artistike dhe e lidhur me muzikën dhe “diss-et” në rrjete sociale. Ai tregoi se pas një periudhe vendosi të kërkonte sqarim personalisht, por sipas tij, takimi në Durrës përfundoi me një përplasje fizike, ku ai pretendon se është sulmuar nga disa persona dhe ka pësuar lëndime.

Ahmeti shtoi se pas ngjarjes ka marrë trajtim mjekësor dhe është përballur më pas edhe me procedura ligjore për shkak të statusit të tij në atë kohë. Ai deklaroi se nuk ka pasur qëllim hakmarrjeje dhe se gjithçka ka nisur si konflikt verbal që ka dalë jashtë kontrollit.

Në dëshminë e tij u përmend edhe një ngjarje tjetër e lidhur me shpërthimin në një lokal në Durrës, për të cilën ai tha se nuk ka dijeni dhe se në atë periudhë ndodhej në burg. Sipas tij, çdo dyshim apo përfshirje e mundshme nuk mbështetet në prova nga ana e tij.

Ai përfundoi deklarimet duke mohuar çdo lidhje me organizime apo veprime të paligjshme dhe duke theksuar se njohjet e tij me personat e përmendur janë keqinterpretuar në publik.