Një nga dy shtetasit shqiptarë të arrestuar nga autoritetet italiane, i identifikuar me inicialet B. G, ka pranuar para hetuesve se nuk i është bindur urdhrit të patrullës për të ndaluar, duke u bërë shkak për një aksident fatal ku humbi jetën një oficer i trafikut në Milano.
Gjatë dëshmisë së tij, 27-vjeçari ka shprehur keqardhje dhe i ka kërkuar falje familjes së viktimës dhe shtetit italian, duke pranuar se nuk u ndal në pikën e kontrollit për shkak se kishte me vete një sasi të vogël hashashi dhe kishte frikë nga pasojat ligjore.
“Nuk u ndala në pikën e kontrollit… bëra një gabim dhe kërkoj ndjesë,” është shprehur ai gjatë marrjes në pyetje, sipas mediave italiane.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një ndjekjeje policore në zonën e Milanos, ndërsa prokuroria po heton për vrasje rrugore dhe arratisje të rrezikshme. Automjeti i përfshirë në incident është sekuestruar dhe po i nënshtrohet ekspertizave teknike.
Autoritetet italiane po verifikojnë gjithashtu rrethanat e plota të ngjarjes, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë për të rindërtuar saktë dinamikën e aksidentit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Itali dhe ka tronditur opinionin publik për humbjen e jetës së oficerit të trafikut.
