Interes i madh për infermierinë, plotësohen të gjitha vendet që në afatin e parë

Drejtimi i infermierisë vazhdon të mbetet një nga më të kërkuarit nga nxënësit, pasi të gjitha 50 vendet e parashikuara janë plotësuar që në afatin e parë të regjistrimit.

Për një pjesë të nxënësve, ky profesion ka qenë një dëshirë e kahershme dhe një thirrje për t’u angazhuar në kujdesin shëndetësor, ndërsa për të tjerë ai shihet si një mundësi e mirë për punësim të sigurt ose për vazhdimin e karrierës jashtë vendit.

Drejtori i shkollës së mesme mjekësore ka shprehur kënaqësinë për interesimin e madh të treguar nga nxënësit, duke theksuar se kërkesa për drejtimet e kësaj shkolle ka qenë e lartë që në afatin e parë të regjistrimit.

Interes të konsiderueshëm kanë shënuar edhe paralelet që përgatisin kuadro deficitare përmes arsimit dual, si dhe profesionet që aktualisht janë shumë të kërkuara në tregun e punës.

Ndërkohë, interesim vazhdon të ketë edhe për drejtimin hoteleri-turizëm. Nga nxënësit dhe komuniteti i biznesit kërkohen gjithashtu profile profesionale si gipsarë, pllakarë, instalues të ujit, kuzhinierë dhe floktarë, megjithëse këto drejtime për momentin nuk ofrohen në Manastir.

Afati i dytë i regjistrimit me aplikim elektronik do të fillojë më 23 qershor.