Durmishi: Mbështetja financiare synon forcimin e bizneseve

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka zhvilluar sot vizita në disa kompani në Shkup, ku është njohur nga afër me investimet e realizuara dhe përfitimet që bizneset kanë marrë nga Ligji për Përkrahje Financiare të investitorëve.

Gjatë vizitës, ministri theksoi se ky ligj synon të fuqizojë sektorin prodhues dhe të nxisë rritjen e kapaciteteve të kompanive vendore përmes mbështetjes financiare dhe investimeve të reja.

Ai u bëri thirrje të gjitha kompanive prodhuese në vend që të aplikojnë për përfitimet e ofruara, duke theksuar se afati i fundit për aplikim është 15 qershori.

SINKRON: BESAR DURMISHI – MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS

“Çfarë ofron konkretisht ky ligj apo kjo mbështetje ka të bëjë me kompanitë prodhuese, të cilat mund të rrisin kapacitetet e tyre, të aplikojnë për rritjen e numrit të punëtorëve, për hulumtim dhe zhvillim, si dhe për teknologji të reja e të ngjashme.”

Durmishi shtoi se kushti kryesor për përfitim nga kjo mbështetje është që kompanitë të kenë një investim minimal prej 100 mijë eurosh, duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.

Sipas tij, kjo masë do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin prodhues në vend./SHENJA/