Debati për rolin e influencuesve në Shqipëri ka vazhduar të prodhojë përplasje edhe në studiot televizive, ku së fundmi në qendër të vëmendjes u gjend Dea Mishel.
Gjatë emisionit “Top Story”, gazetari Bledi Mane bëri deklarata të ashpra ndaj ish-banores së Big Brother VIP Albania, duke përdorur komente që shkaktuan reagime të menjëhershme në studio.
Moderatorja Grida Duma ndërhyri për ta ndalur debatin, duke i kërkuar gazetarit të mos vazhdonte me atë gjuhë.
“Stop! S’ta lejoj këtë”, u shpreh Duma, ndërsa më pas shtoi se do t’ia hiqte mikrofonin nëse vazhdonte me të njëjtin ton dhe me deklarata denigruese.
Pas transmetimit të emisionit, momenti u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagimin e Dea Mishelit.
Përmes një letre të hapur drejtuar Gridës Duma, ajo u shpreh e zhgënjyer që pikërisht fragmenti ku ishte objekt i ofendimeve u publikua dhe mori më shumë vëmendje.
“Jam e zhgënjyer nga fakti që në një program me kohëzgjatje 1 orë e 22 minuta, highlight-i i vetëm që zgjedh të publikosh është momenti kur unë denigrohem me pretendime që nuk do t’i meritonte asnjë vajzë”, shkroi Dea.
