Këngëtari Butrint Imeri ka organizuar një event privat për promovimin e albumit të tij më të ri, “I pari”, i cili pritet të publikohet më 10 qershor.
Në mesin e të ftuarve ka qenë edhe aktorja turke Su Burcu Yazgı Coşkun, prania e së cilës ka tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe ndjekësve në rrjetet sociale.
Pjesëmarrja e saj në një event me rreth të ngushtë familjarësh, miqsh dhe bashkëpunëtorësh të artistit ka rikthyer spekulimet për një raport më të afërt mes dyshes, emrat e të cilëve janë përfolur prej muajsh në mediat rozë.
Pamjet e publikuara nga eventi kanë shtuar edhe më shumë kureshtjen e publikut, ndërsa deri tani as Butrint Imeri dhe as Su Burcu nuk kanë komentuar mbi natyrën e marrëdhënies së tyre.
Aktorja turke njihet për rolin e saj si Asiye në serialin Kardeşlerim dhe mbetet një nga figurat më të ndjekura të brezit të ri në Turqi. Ndërkohë, prania e saj në festën private të këngëtarit shqiptar vazhdon të ushqejë aludimet për një romancë të mundshme.

