Banorët e fshatit Llojan në Komunën e Likovës dhe zonave përreth janë paralajmëruar të tregojnë kujdes të shtuar pas shfaqjes së krimbave të pishës (Thaumetopoea pityocampa), një insekt që mund të paraqesë rrezik serioz për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.
Sipas njoftimeve të publikuara për qytetarët, këto vemje janë të mbuluara me qime mikroskopike helmuese, të cilat mund të shkaktojnë reaksione alergjike, irritime të lëkurës, probleme me frymëmarrjen dhe komplikime të tjera shëndetësore.
Ekspertët theksojnë se qimet e tyre mund të shpërndahen lehtësisht nga era dhe të përfundojnë në sy, lëkurë apo rrugët e frymëmarrjes edhe pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë me insektin.
Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin pranë pishave ku janë vërejtur këto vemje, të mos i prekin dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve dhe kafshëve shtëpiake.
Po ashtu, banorët këshillohen që të raportojnë tek institucionet kompetente çdo rast kur vërejnë fole ose rrjeta karakteristike në degët e pishave, në mënyrë që të ndërmerren masa për eliminimin e tyre.
Sipas specialistëve, kontakti me këta krimba mund të shkaktojë skuqje, kruarje, ënjtje dhe djegie të lëkurës, ndërsa te kafshët, veçanërisht te qentë, pasojat mund të jenë shumë të rënda dhe në raste të caktuara edhe fatale.
