Zbulohet vendi ku pritet të martohet Dua Lipa me Callum Turner

Dasma e shumëpërfolur e Dua Lipa dhe partnerit të saj Callum Turner duket se është më pranë se kurrë. Sipas raportimeve ekskluzive të medias italiane La Repubblica, çifti pritet të martohet këtë fundjavë në një ceremoni luksoze dhe tepër private në Itali.

Burimet bëjnë me dije se ceremonia do të zhvillohet mes datave 5 dhe 7 qershor, ndërsa organizimi është mbajtur larg syrit të publikut dhe mediave. Fillimisht ishte përfolur për një datë tjetër, por planet duket se kanë ndryshuar në momentet e fundit.

Për vendin e martesës, çifti ka zgjedhur Bagheria, një qytet romantik pranë Palermo, i njohur për arkitekturën aristokratike dhe atmosferën elegante. Ceremonia kryesore raportohet se do të mbahet në Villa Valguarnera, një rezidencë madhështore e shekullit XVIII.

Për të garantuar privatësinë maksimale, organizatorët kanë marrë masa të rrepta sigurie. Mediat italiane raportojnë se dy kate të hotelit luksoz Rocco Forte janë rezervuar ekskluzivisht për eventin dhe të ftuarit VIP.

Ndërkohë, përgatitjet në Sicili kanë hyrë në fazën finale, ndërsa lista e të ftuarve po mbahet sekret. Sipas raportimeve, ceremonia pritet të mbledhë emra të njohur nga muzika, filmi dhe moda botërore.

Romanca mes Dua Lipës dhe Callum Turner ka qenë një nga më të komentuarat muajt e fundit, ndërsa tani duket se historia e tyre e dashurisë po shkon drejt hapit më të madh: martesës.