Rexhepi i kujton Mickoskit premtimin për gjuhën shqipe

Deputeti i Fronti Evropian, Zejd Rexhepi, gjatë pyetjeve të deputetëve në Kuvend, ia kujtoi kryeministrit Hristijan Mickoski deklaratat e tij të mëhershme lidhur me çështjen e “20 përqindëshit” dhe gjuhës shqipe.

Rexhepi tha se Mickoski në vitin 2020 kishte deklaruar se një popull nuk duhet të cilësohet me përqindje dhe se nevojiten ndryshime kushtetuese për këtë çështje.

“Bile në vitin 2022 të njëjtën e ka konfirmuar. Kam kopje të deklaratave që i ka dhënë dhe thotë që unë jam dakord që 20% të shndërrohet në gjuhën shqipe në kuadër të Kushtetutës”, deklaroi Rexhepi nga foltorja e Kuvendit.

Ai e cilësoi këtë si një hap të guximshëm dhe kërkoi nga Mickoski që tani, si kryeministër, ta realizojë atë që kishte premtuar më herët.

“Pyetja ime është, kryeministër, t’i bëni ndryshimet kushtetuese, ju ta filloni ashtu siç e keni premtuar në 2020/22 dhe të merrni meritat që gjuha shqipe përfundimisht të bëhet pjesë e Kushtetutës”, tha Rexhepi.

Nga ana tjetër, Mickoski u përgjigj se ai përkrah idenë që qytetarët të mos ndahen sipas përqindjeve dhe paralajmëroi se së shpejti në Kuvend mund të votohet ligji për përfaqësim të drejtë.

Sipas tij, “përqindjet nuk janë të rëndësishme, por kualiteti”.