LSDM me masa ndaj Afrim Gashit, paralajmërohet edhe kallëzim penal

Projektligji për kredinë prej 260 milionë eurosh kalon në Komisionin e Financave, opozita bojkoton seancën

Projektligji për huamarrjen prej 260 milionë eurosh, së bashku me interesat, ka kaluar në Komisionin për Financim dhe Buxhet, ndërsa opozita nuk mori pjesë në seancë.

Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankulovski, deklaroi se bëhet fjalë për një kredi nga kreditorë ndërkombëtarë, e parashikuar në buxhetin shtetëror.

Sipas tij, kredia do të tërhiqet në një transh të vetëm, me afat shlyerjeje prej shtatë vitesh dhe me norma interesi që i cilësoi si më të favorshmet në treg.

Procesi u zhbllokua pasi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thirri seancën e komisionit, e cila u drejtua nga nënkryetari Bojan Stojanoski.

Nga LSDM reaguan duke akuzuar se është shkelur Rregullorja e Punës, pasi sipas tyre kryetarja e Komisionit ishte e pranishme në momentin e mbajtjes së seancës.

LSDM paralajmëroi kallëzim penal ndaj Afrim Gashit dhe nisje të procedurës për interpelancë.

Ndërkohë, Stojanoski u kundërpërgjigj duke deklaruar se “LSDM është në dijeni se nuk kanë argumente për të mbështetur pretendimet e tyre”.

Seanca plenare ku pritet të votohet ligji me procedurë të shkurtuar është paralajmëruar të mbahet të premten.