Dhuna në familje gjithandej: I mituri denoncon nënën dhe motrën, ndjekje me veturë dhe dhunë psikike në tri raste të ndara

Tri raste të rënda të dhunës në familje janë raportuar brenda një periudhe të shkurtër në Graçanicë, Gllogoc dhe Kamenicë, duke ngritur shqetësime serioze për përhapjen e këtij fenomeni.

Rasti më i ndjeshëm është ai në Graçanicë, ku një i mitur ka denoncuar nënën dhe motrën e tij për dhunë të ushtruar ndaj tij.

Ngjarja, që kishte ndodhur më 17 janar 2026, fillimisht ishte trajtuar si “shënim zyrtar”, por pas hetimeve të vazhdueshme, grumbullimit të provave dhe përfshirjes së Qendrës për Punë Sociale, më 31 mars është iniciuar si vepër penale “Dhuna në familje”.

Në një rast tjetër në fshatin Baicë të Gllogocit, një grua ka raportuar se është përballur me dhunë psikike nga një person i afërt. Pas ndërhyrjes së policisë dhe intervistimit të palëve, rasti është iniciuar dhe po trajtohet në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Kamenicë është shënuar një incident shqetësues, ku një grua, së bashku me dy fëmijët e saj, është ndjekur me veturë nga ish-bashkëshorti, i cili dyshohet se ka tentuar t’i hapë derën e automjetit.

Viktima, në gjendje të rënduar emocionale, ka kërkuar ndihmë, ndërsa pas ndërhyrjes së policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Të gjitha rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *