Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vendimi për dënimin e të akuzuarve përbën një dëshmi të funksionimit të drejtësisë në vend.
“Me aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim për sulmin terrorist në Banjskë. Sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund.
Ky vendim është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim.
Megjithatë, drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me terroristin Millan Radoiqiq të dalin para drejtësisë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo theksoi se drejtësia duhet të shtrihet ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë rast, duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë së plotë për sulmin.
