VLEN ka reaguar ashpër ndaj BDI, duke e akuzuar se gjatë periudhës në opozitë ka keqpërdorur çdo çështje për përfitime politike, përfshirë edhe shqetësimet e studentëve.
Sipas VLEN-it, BDI tani përpiqet të instrumentalizojë një problem që vetë nuk e ka zgjidhur gjatë kohës kur ishte në pushtet, pavarësisht se ka pasur kontroll të plotë institucional.
“E njëjta parti, që ka pasur disa ministra të Drejtësisë, sot reagon për një çështje që nuk e zgjidhi kur kishte mundësinë. Gjatë 20 viteve të qeverisjes së saj, shumë padrejtësi në arsim mbetën pa zgjidhje, ndërsa nuk pati as reagime publike,” thuhet në reagim.
Nga VLEN theksojnë se aktualisht ekziston një klimë më e hapur, ku studentët dhe qytetarët mund të shprehin lirshëm kërkesat e tyre.
Ata bëjnë të ditur se tashmë janë zhvilluar takime me të diplomuarit në juridik, ndërsa është formuar edhe një grup pune me ekspertë për të trajtuar çështjen e provimit të jurisprudencës dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
“Problemet e trashëguara nuk zgjidhen me deklarata, por me punë konkrete dhe përgjegjësi. Ndryshe nga BDI, e cila sipas tyre ka krijuar dhe shfrytëzuar problemet, VLEN synon t’i zgjidhë ato në mënyrë institucionale,” thuhet më tej.
Në fund, nga VLEN shprehen të bindur se edhe kjo çështje do të marrë zgjidhje, njësoj si disa probleme të tjera që, sipas tyre, janë adresuar së fundmi.
