U prezantua lista e re e barnave esenciale në RMV, për herë të parë përfshihen barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në konferencën e sotme për media prezantoi listën e re, të modernizuar të barnave esenciale. Siç njoftoi ministri, në listë për herë të parë janë përfshirë barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve shëndetësore dhe duke iu përgjigjur nevojave bashkëkohore të popullsisë, transmeton Portalb.mk.

“Lista e barnave esenciale është përpiluar në bazë të dëshmive më të fundit shkencore dhe praktikave ndërkombëtare, me qëllim sigurimin e terapisë cilësore dhe në kohë për pacientët. Lista është një instrument kyç për sigurimin e terapive bazë me rëndësi për shëndetin publik, si dhe për përfshirjen e tyre në sistemin e sigurimit shëndetësor. Për herë të parë, në listë janë përfshirë barna për kontracepsion dhe terapi zëvendësuese me nikotinë, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve shëndetësore dhe duke iu përgjigjur nevojave bashkëkohore të popullsisë”,informoi ministri Aliu.

Ai sqaroi se procesi i përditësimit filloi në fund të vitit 2025 në kuadër të platformës kombëtare për barna, në koordinim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me mbështetje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në të morën pjesë përfaqësues nga institucionet relevante, komuniteti akademik, organizatat e pacientëve dhe industria farmaceutike.

“Si bazë referuese u përdor lista e barnave esenciale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila përditësohet çdo dy vjet. Me ligjin e ri për barnat parashikohet përditësimi i rregullt i listës kombëtare çdo dy vjet, duke siguruar përputhje të vazhdueshme me standardet bashkëkohore terapeutike dhe përmirësim të qasjes në terapi efektive”, theksoi Aliu.

Kujtojmë se në shtator të vitit 2024, nëntë barna të reja gjenerike iu shtuan listës pozitive. Këto përfshijnë ilaçe për presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, anti-agregantët, ilaçet për trajtimin e depresionit, si dhe për demencën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial