Unionet e studentëve shqiptarë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti Nënë Tereza dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë publikuar një njoftim ku falënderojnë përfaqësitë diplomatike në Maqedonia e Veriut, duke kërkuar njëkohësisht monitorimin e protestës së paralajmëruar për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Në letrën drejtuar ambasadave, studentët shprehin mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe promovimin e shtetit të së drejtës.
“Angazhimi juaj në mbështetje të arsimit, barazisë dhe zhvillimit të përgjithshëm ka një rëndësi të veçantë për shoqërinë tonë,” thuhet në reagim.
Studentët bëjnë të ditur se protesta do të mbahet më 6 prill në Shkup, duke filluar nga ora 12:30, nga Ura e Gurit. Qëllimi i saj, sipas tyre, është realizimi i një të drejte të garantuar me Kushtetutë dhe ligj – mundësia që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.
Ata theksojnë se kjo e drejtë, edhe pse e paraparë ligjërisht, nuk zbatohet në praktikë, duke krijuar pabarazi për studentët që studiojnë në gjuhën shqipe.
“Kjo e drejtë vazhdon të mos zbatohet, duke prodhuar pabarazi të vazhdueshme për studentët e drejtësisë,” theksohet në letër.
Në vijim, studentët u bëjnë thirrje përfaqësuesve diplomatikë që, në kuadër të rolit të tyre, të monitorojnë këtë proces dhe zhvillimet që lidhen me këtë çështje.
Ata sigurojnë se protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze, në përputhje me standardet demokratike, duke theksuar përkushtimin për një qasje qytetare dhe të përgjegjshme.
Kjo thirrje vjen në prag të protestës, e cila pritet të mobilizojë studentët shqiptarë në kërkesën për barazi në arsim dhe respektimin e të drejtave gjuhësore.
