Aleanca për Shqiptarët e ka vlerësuar si skandaloze dhe të rrezikshme deklaratën e sotme të Drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave në lidhje me regjistrimin e diasporës në kuadër të regjistrimit të popullsisë, transmeton Portalb.mk.
“Të paralajmërosh se në regjistrimin e ardhshëm do të përfshihet vetëm popullata rezidente, ndërsa qytetarët jorezidentë të lihen jashtë, nuk është çështje teknike. Është agjendë politike për përjashtim. Mërgata nuk mund të fshihet me vendim administrativ. Qytetarët jorezidentë janë pjesë e pandashme e këtij shteti”, alarmuan nga ASH-ja.
Partia shqiptare opozitare e vlerësoi si manipulim të pastër tentimin që ky vendim të arsyetohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo nuk është rastësi. Kjo është strategji. Provokojnë, testojnë reagimin dhe pastaj tentojnë ta kthejnë në politikë zyrtare. Aleanca për Shqiptarët e refuzon kategorikisht çdo tentativë për përjashtimin e popullatës jorezidente nga regjistrimi i ardhshëm. Regjistrimi nuk mund të bëhet instrument i inxhinierisë politike dhe etnike”, paralajmëroi ASH-ja.
Ndryshe, regjistrimi i ardhshëm i popullsisë pritet të kryhet në vitin 2031, ndërsa Enti Shtetëror i Statistikave dhe Ministria e Transformimit Digjital po punojnë për të përgatitur kushtet që ai të kryhet elektronikisht. Kjo do të thotë që në vend që të ketë regjistrues që shkojnë derë më derë, të dhënat do të “nxirren” nga burimet administrative. Edhe në regjistrimin e fundit në vitin 2021, një pjesë e të dhënave u mor nga të dhënat që kishin institucionet, por megjithatë kishte regjistrues në terren duke i kontrolluar ato.
Diaspora do të përjashtohet nga procesi i regjistrimit të popullsisë që pritet të realizohet në vitin 2031. Këtë e paralajmëroi numri një i Entit të Statistikave Dejan Stankov duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 26 qershor 2025 shfuqizoi dispozita të metodologjisë të cilat ndanin popullsinë e Maqedonisë në rezident dhe jo-rezident. Sipas Kushtetueses, ky kategorizim ishte bërë pa bazë ligjore sepse ligji për regjistrim nuk parashihte një ndarje të tillë me akt nënligjor.
Sipas të dhënave nga regjistrimi i vitit 2021, popullsia e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut është 2 milionë e 97 mijë e 319 persona prej të cilëve 1 milion e 836 mijë e 713 persona janë rezident.
Si jorezidentë janë regjistruar 260 mijë e 606 persona. Prej tyre rreth 180 mijë apo 66,4 përqind janë shqiptarë, ndërsa mbi 12 mijë apo 24,5 përqind janë maqedonas.
Në përgjithësi sipas përkatësisë etnike, rezident dhe jorezident është si vijon:
- 54.21% – Maqedonas,
- 29.52% – Shqiptarë,
- 3.98% – Turq,
- 2.34% – Rom,
- 0.44% – Vlleh,
- 1.18% – Serb dhe të tjerë.
