Sa është stabil koalicioni aktual VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM?

Çështja e stabilitetit të shumicës qeveritare është rihapur pasi kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se në maj ose qershor do të ketë rikonstruim të Qeverisë, përcjell Deutsche Welle. Mickoski paralajmëroi po ashtu se do të analizohen performancat e ministrave dhe se është e mundur që një pjesë e kuadrove të zëvendësohen ose të rotacionohen.

Në të njëjtën kohë, opozitarja Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) pretendon se partneri i koalicionit ZNAМ po shpërbëhet, pasi disa deputetë të këtij subjekti votuan në favor të projektligjit të tyre për pagë minimale prej 600 euro.

Mickoski i hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e Venko Filipçe se ZNAM po shpërbëhet dhe se shumica parlamentare po zvogëlohet.

“Koalicioni me lëvizjen ZNAM nuk po shpërbëhet”, deklaroi ai, duke shtuar se komentet e tilla “i përkasin rubrikës së humorit dhe satirës, jo politikës”.

Reaguan edhe nga ZNAM. Zëdhënësi i partisë, Nikola Memov, mohoi pretendimet për kalime të deputetëve në kamp tjetër. Ai theksoi se partia nuk planifikon përjashtime apo sanksione dhe se anëtarësia e ZNAM po rritet.

“Çdo funksionar ka të drejtë për qëndrim të vetin, por duhet të respektohen postulatet programore të ZNAM-it, të bazuara në parimet e Ilindenit dhe ASNOM”, deklaroi Memov.

Nga ana tjetër, edhe VLEN theksoi se koalicioni qeveritar mbetet stabil dhe se pritet madje rritje e numrave në shumicën parlamentare. Këtë e konfirmoi edhe një nga liderët e këtij koalicioni, Izet Mexhiti, i cili theksoi se shumica jo vetëm që është e qëndrueshme, por edhe në zgjerim.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ditët e fundit deklaroi se ZNAM gradualisht po shpërbëhet dhe se udhëheqja e kësaj lëvizjeje po vepron “kundër interesave kombëtare”. Ai shtoi se SDSM tashmë po zhvillon bisedime me disa deputetë, pa zbuluar emra.

Sipas tij, qytetarët tashmë e kanë kuptuar realitetin dhe ndihen të zhgënjyer.

“Shumë njerëz mendonin se do të ishte ndryshe, por doli ndryshe. Ne paralajmëruam për këtë gjatë fushatës së vitit 2024, por shumë votues të zhgënjyer nga SDSM votuan për ZNAM dhe tani e kuptojnë se janë mashtruar”, tha Filipçe.

Ai shtoi se dyert e partisë janë të hapura për të gjithë ata që duan të rikthehen.

Dyshimet për kohezionin e koalicionit u shtuan pas veprimit të deputetit Mile Cekov, i cili, ndonëse pjesë e shumicës qeveritare, votoi për ligjin për pagën minimale të propozuar nga SDSM.

Në një intervistë për emisionin “360 Gradë” në MRT 1, ai nuk dha përgjigje të qartë nëse do të mbetet pjesë e grupit parlamentar të ZNAM.

Cekov tha se vota e tij ishte “qëndrim parimor”.

“Çështja e pagës minimale është çështje e dinjitetit dhe e asaj se çfarë shteti duam të jemi. Ndonjëherë politika duhet të jetë më shumë se llogaritje, dhe ne si politikanë duhet të marrim vendime që motivojnë dhe rikthejnë besimin e punëtorëve”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kryeministri Mickoski paralajmëroi se në muajt në vijim do të shqyrtohen ndryshime kadrovike në Qeveri për të rritur efikasitetin e institucioneve. Mbetet e hapur nëse këto lëvizje do të shoqërohen edhe me kalime deputetësh dhe rigrupime të reja politike.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *