Qeveria mban sot seancë të jashtëzakonshme për çmimet e derivateve

Qeveria do të mbajë sot në orën 11:00 një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar situatën me çmimet e karburanteve, në një kohë kur priten rritje të reja si pasojë e luhatjeve në tregjet ndërkombëtare të naftës.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri Hristijan Mickoski pritet të mbajë konferencë për shtyp, ku do të bëhen të ditura vendimet e marra.

Një ditë më parë, Mickoski bëri të ditur se Qeveria po shqyrton uljen e akcizave si masë për të zbutur presionin e çmimeve dhe për të parandaluar rritje të mëtejshme.

“Sipas përllogaritjeve, nafta do të duhej të shtrenjtohej me rreth 7 denarë për litër, ndërsa benzina me 1.5 deri në 2 denarë. Kushtet për uljen e akcizave janë përmbushur – për naftën me 4 denarë dhe për benzinën me 2 denarë për litër,” deklaroi ai.

Sipas paralajmërimeve, çmimi i naftës mund të mbetet i pandryshuar, ndërsa benzina mund të pësojë një ulje të lehtë, në varësi të politikave të tregut dhe zbritjeve të mundshme nga kompanitë furnizuese.

Vendimin përfundimtar për çmimet do ta marrë Komisioni Rregullator i Energjisë gjatë ditës së hënë.

Kryeministri shtoi se Qeveria do të vazhdojë edhe me masën për uljen e TVSH-së për karburantet për dy javë të tjera, me synim mbrojtjen e standardit të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *