Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka shpërndarë një mesazh të nënkuptuar për debatin mbi përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, duke cituar: “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një burrë shteti për brezin e ardhshëm”.
Mesazhi vjen pas rritjes së debatit për të drejtën e studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin në shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski fillimisht tha se studentët kanë të drejtë, por më pas deklaroi se ligji nuk e lejon këtë.
Edhe përfaqësuesit e VLEN fillimisht e mbështetën kërkesën, por më pas thanë se nevojiten ndryshime ligjore. Qeveria ka paralajmëruar formimin e një grupi pune për shqyrtimin e çështjes.
