Mbi 40 ton vezë të paetiketuara nga Serbia janë asgjësuar në deponinë e Drislës në Shkup, pasi inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), në koordinim me Doganën, parandaluan një tentativë për import të paligjshëm në vend, përcjell INA.
Aksioni është zhvilluar në pikën kufitare Tabanoc, ku gjatë një kontrolli të detajuar u zbuluan gjithsej 572.400 vezë të freskëta, të fshehura pas paletave të para me mall të deklaruar rregullisht. Në një dërgesë u gjetën 270.000 vezë, ndërsa në tjetrën 302.400 të tjera – të gjitha pa shënime dhe pa origjinë të deklaruar.
Sipas AUV-së, ekzistonin dyshime serioze se këto produkte do të ri-etiketoheshin dhe do të shiteshin në mënyrë të rreme si prodhim vendas, duke rrezikuar si konsumatorët ashtu edhe konkurrencën e prodhuesve vendorë.
“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe të vendosur, u parandalua një mashtrim i madh dhe një rrezik potencial për konsumatorët”, njoftojnë nga AUV.
Sasia totale prej 40 ton e 410 kilogramë vezë është shpallur e pasigurt dhe është asgjësuar në mënyrë të kontrolluar.
Autoritetet paralajmërojnë masa ndaj subjekteve të përfshira, si dhe kontrolle shtesë për aktivitetin e tyre të deritanishëm.
Nga AUV theksojnë se do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara dhe luftë të pakompromis kundër mashtrimeve me ushqim, për të mbrojtur qytetarët dhe prodhimin vendas.(INA)
