Tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinë, të arrestuar për keqpërdorim detyre dhe ryshfet, u është ndryshuar masa e paraburgimit.
Bashkim Sadiku dhe Dukagjin Gashi janë liruar nga paraburgimi dhe ndaj tyre është vendosur masa e ndalimit për t’iu afruar personave apo vendeve të caktuara. Ndërsa Afrim Gashi është vendosur në arrest shtëpiak dhe ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa hetimet ndaj dy të pandehurve të tjerë vazhdojnë.
Sipas Prokurorisë, tre zyrtarët dyshohet se kanë kërkuar ryshfet prej 5,500 deri në 6,000 euro për të mundësuar pagesën e faturave të një kompanie për punë të kryera në tenderin për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.
Pas arrestimit, kryetari Përparim Rama kishte njoftuar pezullimin e tyre nga puna deri në përfundim të procedurave.
