Kosova është një nga tetë kombëtaret që kanë arritur në finalet e play-off-it evropian për kualifikim në Kupën e Botës.
Kjo arritje ka bërë që mediat më prestigjioze ndërkombëtare të shkruajnë për mundësinë që vendi ynë të bëjë histori. Sipas agjencisë Reuters,“Kosova e vogël kërkon historinë e Kupës së Botës me ndeshjen vendimtare kundër Turqisë”.
The Guardian shkruan se “çdo gjë është e mundur për Kosovën”, ndërsa BBC thekson “Kosova në eufori ndërsa ëndërron historinë e Kupës së Botës”.
Ndërkohë, mediumi spanjoll AS, përmes autorit Alex Torres, titullon: “Ndeshja që Fadil Vokrri duhej ta shihte”, duke theksuar rolin e tij në sukseset e Kosovës.
“Sot Kosova përballet me Turqinë, me dijeninë që fitorja i siguron një vend në Kupën e Botës. Do të luajë në stadiumin që mban emrin e Vokrrit. Është e trishtueshme që ai nuk do të jetë aty, por kujtimi i tij do të mbetet i gjallë”, thuhet në artikull.
Revista gjermane Kicker raporton për bonusin prej 1 milion eurosh që Qeveria e Kosovës ka premtuar në rast fitoreje, me mundësi shpërblimesh shtesë.
Ndërsa Corriere dello Sport e përshkruan Kosovën si një “përrallë ballkanike”.
Përballja pritet të tërheqë vëmendje të madhe në shumë vende të botës
