Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi në Kuvend se ulja e TVSH-së nga 18 në 10 për qind për derivatet e naftës, si dhe mundësia për reduktimin e akcizave, kanë ndikuar në uljen e presionit mbi çmimet dhe në një normë më të favorshme mujore të inflacionit.
Në replikë ndaj kryetarit të LSDM, Venko Filipçe, për mënyrën e përballimit të krizës, Mickoski theksoi se politikat e mëparshme të qeverive të LSDM-së dhe BDI-së kanë lënë pas pasoja financiare që ende po përballohen.
Ai nënvizoi se qeveria aktuale po shlyen detyrimet e krijuara më herët, duke përmendur edhe pagesat e kësteve të caktuara.
“Ne i kemi paguar masat tuaja që nga ajo kohë deri më sot, ja ku është taksa e solidaritetit, tani kemi kthyer këstin e parë prej 20 milionë eurosh, tani këstin e dytë prej 20 milionë eurosh të radhës. Ato masa i panë qytetarët dhe në disa cikle zgjedhore me radhë po japin përgjigjen për masat nga koha e Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së”, tha Mickoski.
Në fund, ai theksoi se çdo krahasim mes politikave ekonomike duhet të mbështetet në tregues konkretë dhe jo në interpretime politike.
