Gashi: VLEN dëshmon stabilitet dhe seriozitet në përfaqësim

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë emisionit “Këndi i Debatit” në “Tëvë1”, ka folur për koalicionin shqiptar VLEN, duke e cilësuar atë si një përfaqësues të denjë të shqiptarëve.

Gashi theksoi rëndësinë e institucioneve dhe rolin që ka koalicioni në përfaqësimin politik të komunitetit shqiptar në vend.

“Unë këtë e kuptoj në aspektin opozitar dhe deri diku ka kuptim, pasi VLEN është një përfaqësues i denjë i shqiptarëve, ndërsa vlerësimi u takon qytetarëve. Që nga vitet ’90 kemi pasur përfaqësime të ndryshme dhe kemi kaluar periudha të vështira me procese të montuara, burgosje dhe incidente të dhimbshme. Ndërsa në dy vitet e fundit nuk kemi pasur raste të tilla serioze dhe beteja zhvillohet në kuadër institucional. Ne japim maksimumin dhe jemi të zgjedhur nga qytetarët, duke fituar edhe zgjedhjet lokale para katër muajsh dhe duke zbehur narrativat negative”, tha ai.

Ai shtoi se VLEN ka dëshmuar stabilitet dhe përfaqësim serioz për shqiptarët, duke u paraqitur si një alternativë e besueshme në skenën politike.

“VLEN është një koalicion shqiptar me qëllime të qarta dhe përbën një pikë të rëndësishme referimi për komunitetin tonë”, theksoi Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Social media & sharing icons powered by UltimatelySocial